BARTËSIT E NJËSISË SË PARË ZGJEDHORE: SA JANË TË PASUR ATA?

Në kuadër të projektit PEP (Personat e ekspozuar politikisht), SCOOP-i do t’i prezantojë biografitë e bartësve të listave të kandidatëve në të gjitha njësitë zgjedhore, me fokus të veçantë të gjendjes së tyre pronësore.

 

Shkruajnë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

 

Gjithçka ishte gati për fillimin e garës së madhe zgjedhore për pushtetin në Maqedoninë e Veriut, e cila duhej të përfundonte më 12 prill, kur qytetarët do të vendosnin se kush do ta drejtonte vendin në vitet e ardhshme. Por, ajo që dukej të ishte një problem i largët që prek vetëm Kinën dhe fqinjët e saj për një kohë të shkurtër u bë një problem global. Pandemia e shkaktuar nga virusi Korona, e cila gjithashtu arriti në Maqedoninë e Veriut në fund të shkurtit, ka detyruar politikanët të ulen në një tryezë të përbashkët dhe t’i shtyjnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Edhe pse fushata ende nuk ishte nisur zyrtarisht, ata tashmë kishin filluar përgatitjet. Në këtë mënyrë, i gjithë procesi zgjedhor ishte ngrirë, ndërsa fushata, e cila kishte filluar tashmë, u ndërpre me një vendim të Qeverisë, e cila në kohën e gjendjes së shpallur të jashtëzakonshme ka kompetenca të marrë masa me fuqi të ligjit.

Pas uljes së numrit të rasteve aktive të infektuara me virusin Korona, më 12 maj, liderët e partive politike kthyen sërish temën e zgjedhjeve, por nuk arritën të bien dakord për datën e re. LSDM-ja insiston për zgjedhje të shpejta, sipas mundësive në mes të qershorit, ndërsa VMRO-DPMNE-ja kërkon të mos mbahen zgjedhjet derisa virusi është i pranishëm. Megjithatë, pritjet janë që në mbledhjen e ardhshme të liderëve data për zgjedhjet e reja do të kërkohet midis 28 qershorit ose 5 korrikut.

Kush janë bartësit e njësisë së parë zgjedhore, cilat do të jenë “lokomotivat” që do të tërheqin votat për partitë apo koalicionet kryesore politike?

Njësia zgjedhore 1 është një nga gjashtë njësitë zgjedhore në Maqedoni. Kjo njësi zgjedhore përfshin 9 komuna nga Qyteti i Shkupit dhe Maqedonia veriore dhe perëndimore, ndër të cilat janë: Aerodromi, Kisella Voda, Qendra, Karposhi, Çairi (një pjesë), Saraji, Studeniçani, Sopishti dhe Makedonski Brod.

 

PRONA E DIMITROVIT DHE CAROVSKËS

 

Partia qeverisëse LSDM, në Kongresin e partisë publikoi bartësit e listave dhe kandidatët për deputetë. Siç është paraparë, në çdo njësi zgjedhore, LSDM-ja do të shkojë me dy bartës të listave, kësaj radhe me një burrë dhe një grua, sipas parimit të barazisë gjinore. Njësinë e parë zgjedhore është paraparë ta udhëheqin Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Zëvendës-kryeministrja Milla Carovska.

Dimitrov, diplomati i Maqedonisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i cili udhëhiqte procesin e ndërrimit të emrit, fitoi rolin e bartësit të listës zgjedhore në njësinë e parë zgjedhore. Opinioni e mban mend atë që nga fillimet e karrierës së tij në vitin 1996 si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 2000 bëhet këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Boris Trajkovski, ndërsa dy vjet më vonë u emërua për ambasador të Maqedonisë në SHBA. Në vitin 2009 Dimitrov bëhet ambasador i Maqedonisë në Holandë.

Momente të rëndësishme të karrierës së tij politike janë edhe përfaqësimi në negociatat rreth kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe përfaqësimi i Maqedonisë në padinë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë kundër Greqisë për shkelje të marrëveshjes së përkohshme. Momenti kryesor në karrierën e tij është Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar nga ana e tij si shef i diplomacisë së Maqedonisë dhe shefi i diplomacisë së Greqisë, Nikos Koxias më 17 qershor 2018 në fshatin Nivici, në bregun e Liqenit të Prespës. Të njëjtën marrëveshje e nënshkroi edhe ndërmjetësuesi i OKB-së për kontestin e emrit Maqedoni, Metju Nimic. Marrëveshja zëvendëson marrëveshjen e përkohshme të nënshkruan në Nju Jork më 13 shtator 1995 dhe është zgjedhje e kontestit të emrit Maqedoni.

Duke marrë parasysh angazhimin e tij aktiv politik rreth marrëveshjes me Greqinë, ministri pati shumë vizita jashtë vendit. Hulumtimi më i ri i SCOOP-it Maqedoni tregoi se Dimitrov është ndër funksionarët të cilët kanë harxhuar më shumë para të buxhetit në muajt e parë të vitit 2019, sipas të dhënave të veglës për transparencë të shpenzimeve të bartësve të funksioneve publike.

Nikolla Dimitrov ka shpenzuar gjithsej 1.282.027 denarë. Më shumë ka shpenzuar në prill – 363.530 denarë, ndërsa më së pakut në janar – 111.382 denarë. Duke marrë parasysh shumat, SCOOP-i shqyrtoi edhe udhëtimet e tija. Në muajin prill ka qenë në një vizitë pune në Uashington në takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore amerikane, si dhe në një vizitë pune në Berlin, ku ka mbajtur më shumë brifingje dhe takime pune, me fokus të temës – përfitimet e Marrëveshjes së Prespës. Aktivitetet e ministrit kanë vazhduar në Varshavë, ku ka marrë pjesë në një seancë të Senatit të Republikës së Polonisë, si dhe një qëndrim pune në Hagë ku ka realizuar më shumë takime në drejtim të reformave.

Në këtë moment, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, është vlerësuar se prona e tij ka vlerën prej 270 mijë eurosh. Ajo përbëhet nga të njëjtat asete dhe është shtuar vetëm llogaria në denarë prej rreth 7 mijë eurosh si pronë personale. Prona e tij totale aktualisht është më e vogël se ajo që ka pasur kur ka hyrë në politikë. Në një deklaratë për PEP, Dimitrov thotë se është në fazë të divorcit, kështu që prona e tij e paluajtshme personale është vetëm banesa në Shkup. Banesa e dytë i takon bijës së tij, e cila banon ndaras, por thotë se e ka deklaruar atë për shkak të një transparence më të madhe. Milla Carovska, ish Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale në Qeverinë e Maqedonisë të vitit 2017, është Zëvendës-kryeministre aktuale në qeveri. Në njësinë e parë zgjedhore, është planifikuar që ajo ta plotësojë vendin e përfaqësuesit femëror.

Prapavija e saj politike dhe e punës është po aq e pasur sa ajo e Dimitrovit. Ajo vjen në krye të funksionit ministre pasi më parë, në periudhën nëntor 2015 – maj 2016, ajo ishte këshilltare në kabinetin e ministres Frosina Remenski. Carovska shënon fillimet e saj në këtë sektor pas përfundimit të studimeve. Për dhjetë vjet ajo ka qenë koordinatore e programit të Shoqatës për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor (HERA). Në qeverinë aktuale teknike, ajo ka funksionin e Zëvendës-kryeministrit.

Si për Dimitrovin, ashtu edhe për Carovskën, SCOOP-i analizonte dhe ndiqte ndryshimet e pronës së saj. Sipas hulumtimeve tona, Carovska nuk merr një vend të lartë në listën e anëtarëve më të pasur të qeverisë. Megjithatë, pas një kohe, sipas hulumtimit të SCOOP-it, ajo ka shtuar në listën e saj pronësore edhe pronën që e posedojnë prindërit e saj, me ç’rast vlera e pronës së tërësishme është rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Në këtë moment, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, prona e Milla Carovskës ka vlerë prej 1.641.618 eurosh, kështu që është vërejtur një rritje prej 50.020 eurosh që ka të bëjë me kredi dhe kartela kreditore.

hulumtimin më të ri të SCOOP-it Maqedoni, sipas të dhënave të veglës për transparencë të shpenzimeve të bartësve të funksioneve publike, Zëvendës-kryeministrja Milla Carovska për bileta të aeroplanëve në pesë muajt e parë të vitit 2019 ka shpenzuar gjithsej 2.378 euro.

 

SILJANOVSKA – DAVKOVA NGA VMRO-DPMNE-JA NUK KA AS AUTOMOBIL

Bartës i listës së opozitës në njësinë e parë zgjedhore është Gordana Siljanovska Davkova, profesor universitar dhe jurist. Në vitin 2019, Siljanovska Davkova u zgjodh për kandidat presidencial në zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, në zgjedhjet ajo humbi nga kundërshtari i saj, Stevo Pendarovski. Për karrierën e saj është e rëndësishme të përmendet se ka qenë anëtar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të RM-së (1990-1992) dhe ministër në Qeverinë e RM-së (1992-1994).

Por, në atë kohë funksionarët nuk kanë pasur obligim t’i deklarojnë pronat e tyre, ndërsa pas formimit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit (KSHPK) në vitin 2005, Siljanovska nuk ka pasur funksion publik dhe për këtë arsye nuk ka qenë e detyruar ta deklarojë pronën e saj. Për këtë arsye kemi shumë pak informacione për pronën e saj dhe për llogaritë e saja bankare. Megjithatë, gjatë fushatës presidenciale mediat raportonin se Siljanovska Davkova nuk ka pronë të luajtshme në emër të saj. Siljanovska banon në qendër të Shkupit, në rrugën “Orce Nikollov” në një shtëpi familjare, pronësi të bashkëshortit të saj. Shtëpia është me madhësi prej 114 metrash katrorë dhe është mjaft e vjetër. Siljanovska nuk ka automobil. Mediat raportonin se ajo nuk ka as patentë shoferi, e as që ka dashur të drejtojë automobil. Bashkëshorti i saj është jurist i pensionuar, ka Honda Shatëll të vitit 1996.

Por, nga familja e saj thonë se nuk kanë kursime të mëdha në bankë. Por, nga ana tjetër, ata nuk kanë as kredi ose borxhe të tjera më të mëdha.

MEXHITI NGA BDI-JA ME PRONE TË DEKLARUAR PREJ 60 MIJË EUROSH

Një nga katër nënkryetarët e BDI-së do të jetë bartës i listës në njësinë zgjedhore 1. Bëhet fjalë për Izet Mexhitin, ish kryetari i Komunës së Çairit në periudhën prej vitit 2005 deri në vitin 2017.

Mexhiti fillon si profesor i ekonomisë në shkollën e mesme “Arseni Jovkov”. Pasi ka lëshuar vendin e profesorit, ai ka punuar si këshilltar ekonomik në ndërmarrjen “Postat e Maqedonisë” deri në vitin 2005.

Mandatin e parë e ka fituar në zgjedhjet për vetëqeverisje lokale në vitin 2005. Mexhiti gjatë mandatit të tij të dytë merr një vendim kontrovers për ndërrim të emrave të katër shkollave fillore të komunës, i cili u vërtetua se është marrë në mënyrë të kundërligjshme me ç’rast pastaj në certifikatat e lëshuara nga këto shkolla u shkruan emrat e vjetër të shkollave.

Fleta pronësore e Izet Mexhitit, e cila është publikuar në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit nga koha e menaxhimit të vetëqeverisjes lokale, ka vlerë prej 60 mijë eurosh dhe përbëhet nga prona e prindërve të tij, një shtëpi në Shkup dhe prona personale automobili Pezho 207.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për bartës në njësinë zgjedhore 1 e ka Skender Rexhepin, sekretari i përgjithshëm i partisë Alternativa.

 

Në pjesën e dytë do të lexoni: Sa janë të pasur bartësit e njësisë së dytë zgjedhore?