- Më shumë para për reklamim dhe publikim të njoftimeve në media në 5 vitet e kaluara ka shpenzuar komuna e Manastirit – gjithsej 234.549 euro.
- Nga 66 komuna, vetëm 7 nuk kanë shpenzuar para për reklamim dhe publikim të njoftimeve në media në vitin 2019.
- Komunat kanë bashkëpunuar dhe kanë publikuar shpallje në gjithsej 174 media, produksione dhe agjenci.
Shkruajnë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq
Derisa komuna e Manastirit është lider për shpenzimin e parave për reklama dhe njoftime edhe atë më së shumti në një revistë për humor dhe satirë, profitin më të madh e kanë realizuar gazetat Nova Makedonija, Veçer dhe gazeta tashmë e mbyllur, Utrinski vesnik. Neni 25 i Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele të vitit 2018 parasheh ndalimin e reklamimit me të cilin njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk guxojnë të parashohin mjete për informim dhe njoftim të opinionit për shërbimet dhe aktivitetet e tyre përmes radiodifuzerëve privatë. Megjithatë, këtë vit Ligji ekzistues për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele u plotësua me një nen të ri, i cili parasheh se kontratat të cilat i kanë lidhur komunat në bazë të nenit 102 të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele mbeten në fuqi derisa të skadojë vlefshmëria e tyre. Kështu, ndërkohë, duke përdorur këtë hapësirë, komunat kanë shpenzuar dhe kanë paraparë shpenzime për reklamim dhe publikim të njoftimeve në media edhe për vitin aktual 2019.
Nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele në një deklaratë për SCOOP thonë se kanë reaguar disa herë lidhur me ndryshimet ligjore. “Më 6 shkurt, rregullatori publikoi edhe një njoftim publik me të cilin theksoi se dispozita me të cilën parashihet se institucionet shtetërore dhe publike nuk guxojnë të parashohin mjete për informim dhe njoftim të opinionit për shërbimet e tyre përmes radiove dhe televizioneve komerciale nuk duhet të jetë pjesë e Ligjit për shërbimemediatike audio dhe audiovizuele, për shkak se ky Ligj ka të bëjë me punën e radiodifuzerëve, e jo me punën e institucioneve shtetërore dhe publike” – sqarojnë nga atje. Zhaneta Trajkoska nga Instituti për studime komunikuese, thotë se një nga shpjegimet se pse komunat akoma po reklamohen në mediat do të jetë arsyetimi se kanë kontrata të tenderëve që janë bërë para ndryshimit të ligjit, që do të thotë se do t’i respektojnë kontratat.
“E dyta është se mënyra në të cilën po reklamohen ato media paraqet një lidhshmëri serioze midis mediave lokale dhe pushtetit komunal. Për shkak se nuk kemi një ekonomi mjaft të fortë ose firma të cilat do të reklamoheshin në mediat lokale” – shton Trajkoska.
KOMUNAT PJESËRISHT TRANSPARENTE
Gjithsej 2.726.459 euro janë shpenzuar nga 51 komuna për reklamim dhe publikim të njoftimeve në media në 5 vitet e kaluara. SCOOP-i ka ardhur deri te kjo shumë pasi analizoi informacionet nga komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjashtë komuna të cilat nuk precizuan shumën konkrete të parave të shpenzuara në fakt dërguan deri te SCOOP-i kartela analitike të cilat janë dërguar së bashku me dokumentacionin. Lidhur me atë nëse reklamimi është i drejtë ose jo, Trajkoska shpjegon se nëse shohim teorikisht, lloji i tillë i lidhjes është një dozë e caktuar e klientelizmit dhe korruptimit të mediave lokale. Funksionarët shtetërorë më së shpeshti dëshirojnë të paraqiten në televizione dhe të ekspozohen në mënyrë publicistike, megjithatë ajo konsideron se ekzistojnë shumë mënyra të tjera që ata të jenë transparentë, e të mos përdorin reklama.
NË 5 VITET E KALUARA MË SHUMË PARA KANË QARKULLUAR NË NOVA MAKEDONIJA, VEÇER DHE UTRINSKI
Komunat kanë bashkëpunuar dhe kanë publikuar shpallje në gjithsej 174 media, produksione dhe agjenci. Ndërmjet mediave më të përfaqësuara që i kanë përdorur pjesa më e madhe e komunave janë firmat që i botojnë ose kanë botuar gazetat e përditshme Nova Makedonija, Veçer dhe Utrinski vesnik – REPRO PRINT, VEÇER PRES dhe MEDIA PRINT. Mediat e tjera që janë përdorur më së shpeshti janë: TRD RTV ORBIS BITOLA, TRD TV TERA Dooel Bitola, TV Iris Shtip, MIA, Makedonski Media Servis, Media kompani ATV, Byroja e furnizimeve publike Shkup, Gazeta Zyrtare e RM-së, TV Kanal Plus Skopje, TV Star Shtip, Sloboden peçat Skopje, FM 90.3 Sportsko radio, TRD TV MTM Dooel, Kanal 77, Koha Produksion dhe TV Edo.
MANASTIRI ME MË SHUMË SHPENZIME PËR REKLAMIM DHE SHPALLJE
Komuna e Manastirit informacionet e saja deri te populli nëpër vitet i ka dërguar përmes revistës BEZ NAVREDA, Magazinë për humor dhe argëtim – Bitola, NIP LIPEKS Dooel – Bitola, REPRO PRINT – Skopje dhe JAVNOST DOOEL Bitola. Ajo ka bashkëpunuar disa herë edhe me TRD HDTV MEGA DOOEL SKOPJE, VEÇER PRES Dooel – Skopje, TRD RADIO 106 Bitola dhe RADIO AKTUEL Bitola. Të njëjtat informacione e kanë kushtuar komunën 234.549 euro. Pas komunës së Manastirit është komuna e Gjevgjelisë, me 232.390 euro të shpenzuara dhe ajo ka bashkëpunuar më së shpeshti me REPRO PRINT – Skopje, VEÇER PRES Dooel – Skopje dhe TV Nova Gjevgjelija. Komuna e Ohrit prej vitit 2015 deri në vitin 2019 (duke përfshirë muajin gusht) për reklamim dhe publikim të njoftimeve në media ka ndarë 198.819 euro. Qytetarët e Ohrit janë informuar më së shpeshti nga O2 TV, LT Trejd, Megastar, Ohridnjuz, TVM dhe Ohrid 24. Diçka më pak se komuna e Ohrit, gjegjësisht 184.488 euro ka shpenzuar komuna e Prilepit për të njëjtin qëllim. Në përgjigjen e komunës së Prilepit nuk është evidentuar se për cilat media janë shpenzuar këto mjete. Komuna e Velesit në 5 vitet e kaluara ka ndarë 164.229 euro. I vetmi medium që është përmendur në përgjigjen e tyre është K1 Televizija, me të cilin në periudhën prej korrikut të vitit 2015 deri në tetorin e vitit 2017, komuna e Velesit ka lidhur kontratë për reklamim dhe publikim të njoftimeve. 157.008 euro ka shpenzuar komuna e Karposhit për kontratat e lidhura për reklamim dhe publikim të njoftimeve në disa media elektronike, të shkruara dhe ueb-portale. Një pjesë e mediave me të cilat komuna e Karposhit më së shpeshti ka lidhur kontrata janë: 24 Vesti, KOHA, MIA, NASHA TV, NEZAVISEN VESNIK dhe EDO TV. Komuna e Gostivarit në pesë vitet e kaluara ka bashkëpunuar me 21 media, ndër të cilat janë: Tv Koha, Tv Era, Media Print Makedonija, Shqiptarja, Radio Pro FM dhe Plus Info Media. Për reklamim dhe publikim të njoftimeve në mediat e lartpërmendura dhe media të tjera, komuna e Gostivarit ka shpenzuar 148.629 euro. Komuna e Kumanovës në pesë vitet e fundit ka bashkëpunuar më së shpeshti me: DPTU Kumanovski Muabeti DOOEL Kumanovo, Televizija Plus DOOEL Kumanovo, Radio Kanal 77 DOOEL dhe Tastatura. Për këtë bashkëpunim, komuna e Kumanovës ka shpenzuar 113.725 euro.
MË PAK PARA JANË SHPENZUAR NË VEVÇAN DHE NAGORIÇIN E VJETËR
Më pak shpenzime, gjegjësisht nga 500 deri në 5.000 euro kanë shpenzuar gjithsej shtatë komuna, ndër të cilat janë Demir Kapia, Zërnoci, Jegunoci, Shuto Orizari, Bogdanca, Vevçani, Nagoriçi i Vjetër. Këto komuna, reklamimin dhe publikimin e njoftimeve e kanë realizuar në 1 deri 4 media lokale, ndër të cilat janë: Radio Koçani FM, TV Koçani LD, TV Kanal 8, TV IRIS Shtip, Kanal Eden TV, Tastatura DOOEL Kumanovo, BUM Radio Kumanovo, Ohrid Net, ABV na makedonskoto stopanstvo, Televizija Kobra dhe MIA. Trajkoska, personalisht është pesimiste. Ajo konsideron se pa marrë parasysh se cila qeveri ose garniturë qeverisëse do të jetë në pushtet në nivel lokal ose kombëtar, do të ketë llojin e këtillë të interesit dhe vullnetit që të ndërpriten lidhjet klienteliste ndërmjet mediave, qendrave politike të fuqisë dhe administratës publike dhe shtetërore.
“Faktikisht, edhe përgjigja e fundit e strukturës qeverisëse në Parlament lidhur me shpenzimin e parave për reklama ishte se dallimi midis tyre dhe VMRO-së ka qenë se ata shpenzojnë vetëm para nga mjete partiake, e jo mjete qeveritare. Po, me të vërtetë ndoshta është ashtu, por rezultati përsëri është i njëjtë, ata qeverisin, para të gjithash, me hapësirën televizive shumë muaj para se të fillojë fushata zyrtarisht, u japin para mediave dhe në këtë mënyrë vendosin lidhje klienteliste. Ndoshta kjo është legale dhe ligjore, por definitivisht nuk është etike dhe morale” – përfundon ajo.