- Deputetja Meri Llazarova me pronë dyfish më të madhe, Sashko Atanasov me kamion të ri, Zhaklina Peshevska me makinë të re
- Daniella Rangellova me borxh të ri prej 228 eurosh në muaj, Mila Carovska me dy toka të reja bujqësore, ndërsa Emil Dimitriev me banesë të re
- Asaf Ademi me pjesëmarrje prej 2.250 eurosh dhe depozitë në denarë në vlerë prej 4.552 eurosh, ndërsa Muhamed Zeqiri me ndryshime të paazhurnuara
Shkruan: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq
Ministri i Kulturës nga radhët e partisë politike BESA, Asaf Ademi, me ardhjen e tij në këtë funksion vitin e kaluar nuk kishte deklaruar asgjë në emrin e tij. Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), ai ka dërguar një fletë pronësore ku e gjithë prona e deklaruar ishte në emër të familjes së tij. Por, në vitin e ri në pronën e Ademit janë vërejtur pjesëmarrje të bashkëshortes së tij në vlerë prej 2.250 eurosh, prona personale dhe një depozitë në denarë me vlerë prej 4.552 eurosh. Nëse vlera e vlerësuar paraprake e pronës së Ademit ishte në vlerë prej 528 mijë eurosh, tani ajo është 535 mijë euro. Për rreth gjashtë muajsh sa është në këtë funksion, Ademi ka arritur të fitojë rreth 7 mijë eurosh.
PËR DY VJET PRONË DYFISH MË TË MADHE
Përveç tek Ademi, hulumtimi i SCOOP-it në kuadër të projektit PEP tregoi se, nga deklarimi fillestar i gjendjes pronësore deri në fillim të këtij viti, ka ndryshime në gjendjen pronësore edhe te 8 funksionarë të tjerë: Meri Llazarova, Sashko Atanasov, Zhaklina Peshevska, Daniella Rangellova, Mila Carovska, Emil Dimitriev dhe Muhamed Zeqiri.
Deputeti dhe nënkryetar i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, në fillim të këtij viti është vërejtur se nga gjendja e tij pronësore është hequr makina BMV 730 D 2010/2017. Në një deklaratë për SCOOP, ai ka pohuar se ajo është gjendja e tij pronësore, duke shtuar se korrigjimi ka ndodhur pas shkrimeve në kuadër të këtij projekti.
“Po, ajo është gjendja ime pronësore me një vërejtje se gjatë azhurnimit të fundit, tani po shikoj, falë Jush, se KSHPK-ja ka shtuar automobilin BMV 730 të vitit 2010. Por, nuk i ka fshirë dy automobilat tjerë – BMV X5 të vitit 2009 dhe BMV 730 të vitit 2004, të cilat i kam shitur gjatë asaj kohe. Ka ndryshime edhe këtë muaj dhe brenda afatit të paraparë ligjor do ta njoftoj KSHPK-në se këtë javë e kam shitur edhe automobilin BMV 730 të vitit 2010. Vlerën e shtëpisë nuk mund ta vlerësoj unë dhe për këtë arsye ajo nuk është e shkruar. Atë pjesë të shtëpisë e kam trashëguar nga babai im i ndjerë dhe posedoj një të nëntë të kësaj shtëpie”, thotë deputeti Zeqiri.
Deputetja Meri Llazarova, ka hyrë në vitin e ri me pronë dyfish më të madhe. Për më tepër, pronës së deklaruar paraprake në vlerë prej 19.187 eurosh, ajo ia shton edhe automobilin Tojota Jaris në vlerë prej 10.071 eurosh dhe një kredi në vlerë prej 6.991 eurosh, me çka vlera e pronës pas ndryshimeve është rritur gati dyfish dhe tani vlera e pronës së saj është 36.249 euro. Paga e saj mujore, sipas projektit PEP, është rreth 64 mijë denarësh.
Sashko Atanasov ka blerë kamionin Mercedes Atego që vlen 9.750 euro me çka vlera e pronës së ndryshuar është 161.273 euro. Deputetja Zhaklina Peshevska në vitin e ri ka hyrë me një automobil të ri, Ford Kuga 2.0 TDCI që vlen 3.866 euro, një kredi me vlerë prej 7.316 eurosh dhe mjete të transferuara nga një i afërm nga jashtë në vlerë prej 19.996 eurosh. Me këtë rritet vlera e pronës së saj paraprake nga 18.763 euro në 49.941 euro. Ndërsa, kolegia e saj e partisë, Daniella Rangellova pronës me vlerë prej 15.425 eurosh ia shton edhe borxhi në vlerë prej 228 eurosh në muaj.
Prona fillestare të cilën ministrja Mila Carovska e deklaroi publikisht ishte në vlerë prej 212.984 eurosh. Nga kabineti i ministres Mila Carovska në një deklaratë për SCOOP deklaruan se ka një ndryshim në gjendjen pronësore të cilën e ka deklaruar në KSHPK-në. “Ndryshimi ka të bëjë me fitimin e tokës ndërtimore në Koçan. Bëhet fjalë për dy parcela të tokës ndërtimore. Njëra e parcelave është me sipërfaqe prej 894 metrash katrorë dhe është në emër të ministres, ndërsa parcela tjetër është me sipërfaqe prej 1.099 metrash katrorë dhe është në emër të vëllait të saj”.
Të dyja tokat ndërtimore, njëra prej të cilave është në emrin e saj, ndërsa tjetra i takon vëllait të saj, janë në vlerë prej 2.300 eurosh me çka vlera e pronës së saj nga 212.984 euro tani arrin në vlerë prej 215.284 eurosh.
Nga fleta fillestare e pronave e ish ushtruesit të detyrës së kryeministrit dhe deputetit aktual, Emil Dimitriev, janë larguar para-kontrata për shitblerjen e banesës në Kisella Vodë në vlerë prej 123.097 eurosh dhe aneks-Kontrata nr.01 e para-kontratës bazë në vlerë prej 7.528 eurosh, ndërsa është shtuar një banesë me garazh dhe hapësira ndihmëse në vlerë prej 130.625 eurosh. Në fletën paraprake pronësore kishte 7 libreza kursimi në vlerë prej 68.421 eurosh, tani ka dy në vlerë prej 14.198 eurosh. Vlera e pronës paraprake të Emil Dimitrievit ishte 383.501 euro, ndërsa me ndryshimet ajo është 329.278 euro.
DY MINISTRA TË RINJ PA RESOR DHE NJË DEPUTET
Pesë ditë para fillimit të vitit të ri 2019, me propozim të Qeverisë, Kuvendi i emëroi dy ministrat e rinj pa resor Muzafer Bajram dhe Elvin Hasan. Ata morën këto funksione pas shkarkimit të Aksel Ahmedovskit dhe Adnan Qahilit.
Muzafer Bajram, magjistri tridhjetë e gjashtë vjeçar i së drejtës qytetare, është ministri i ri pa resor përgjegjës për implementimin e Strategjisë për avancimin e gjendjeve të romëve në Republikën e Maqedonisë. Ai vjen nga radhët e Partisë për Emancipimin e Plotë të Romëve, ku është anëtar nga mosha e tij 18 vjeçare. Në vitin 2016 është zgjedhur për kryetar të partisë. Në funksionin ministër pa resor vjen me pronë që vlen 265.411 euro. Në fletën e tij pronësore janë evidentuar katër makina, një shtëpi dhe një banesë në Shkup.
Elvin Hasan është ministri pa resor përgjegjës për investimet e huaja dhe vjen nga funksioni i zëvendës-drejtorit të Qendrës Shtetërore të Provimeve. Vlera e pronës së Hasanit është 153.400 euro. Në fletën e tij pronësore janë evidentuar 21 sende, ndër të cilat dy shtëpi me oborr, dy automjete motorike, dy depozita, një kartelë kreditore dhe dy kartela pagimi në denarë, një tokë ndërtimore dhe shtatë toka bujqësore, si dhe një pronë të paspecifikuar.
Rubin Zemon është deputeti nga radhët e PPSHE-së (Partia për Progresin Shoqëror dhe Ekonomik), i cili vjen në vendin e Tomisllav Tuntevit. Ai është doktor etnologjie pranë Institutit Etnografik me muze në BAN, Sofje, Republikën e Bullgarisë. Gjendja e tij pronësore ende nuk është e azhurnuar në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.