ZAEV SFIDOHET NGA NIKOLLOVSKI NË NJËSINË E KATËRT ZGJEDHORE 

Zaev posedon pronë me vlerë prej 728.193 eurosh, ndërsa prona e Nikollovskit është hequr nga KSHPK-ja për shkak të faktit se nuk ka pasur asnjë funksion shtetëror që nga viti 2016   

 

Shkruajnë: Angella Rajçevska dhe Bjanka Stankoviq

 

Ish kryeministri dhe lider aktual i LSDM-së, Zoran Zaev, në njësinë e katërt zgjedhore do të sfidohet nga Aleksandar Nikollovski, dora e djathtë e liderit të VMRO-DPMNE-së. Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, që u mbajtën në vitin 2016, kundërshtari kryesor i Zaevit ishte ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili arriti të fitonte për rreth 3 për qind.

Njësia e katërt zgjedhore përfshin 19 komuna të Maqedonisë jugore dhe juglindore, ndër të cilat është edhe Strumica, vendlindja e bartësit të listës së LSDM-së në këtë njësi zgjedhore, Zoran Zaev. Kryeministri i mëparshëm, sipas dy bartësve të paraparë të listave të LSDM-së dhe koalicionit në njësitë zgjedhore, është shoqëruar nga deputetja Sonja Mirakovska nga Partia e Re Socialdemokrate (PRSD).

Komuna e tjera në njësinë zgjedhore 4 janë: Prilepi, Radovishi, Konçe, Vallandova, Gjevgjelia, Dojrani, Bogdanca, Kavadari, Negotina, Demir Kapia, Manastiri (një pjesë), Krivogashtani (një pjesë), Mogilla, Novaci, Rosomani, Bosillova, Vasileva dhe Novo Sella.

ÇFARË PRONE KA DEKLARUAR ZAEV?

Zoran Zaev është anëtar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë që nga viti 1996. Nga viti 2003 deri në vitin 2005 është deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Në vitin 2005 bëhet kryetar i Komunës së Strumicës. Në vitin 2006 është zgjedhur për nënkryetar të Komitetit Qendror të LSDM-së, ndërsa në vitin 2008 bëhet u.d. kryetar i partisë. Nga viti 2013 Zaev është lider i LSDM-së. Opinioni e mban mend me projektin “Vërteta për Maqedoninë” të cilin e filloi ai në vitin 2015, duke publikuar materialin e përgjuar me të cilin u zbuluan aktivitetet kriminele të pushtetit të atëhershëm të udhëhequr nga Gruevski.

Pas Marrëveshjes së Përzhinos të nënshkruar midis liderëve të katër partive më të mëdha politike për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, të shoqëruar me një periudhë të trazirave politike ndër të cilat edhe incidenti i dhunshëm në Parlament më 27 prill 2017, më 31 maj 2017, Zaev u zgjodh për Kryeministër të Republikës së Maqedonisë.

SCOOP-i hulumtonte dhe shkruante paraprakisht për Zaevin në kuadër të projektit “Personat e ekspozuar politikisht”. I pesti në listën e anëtarëve më të pasur të qeverisë është pikërisht ai. Sipas analizës së të dhënave të fletës pronësore të Zaevit të vitit 2018, prona e tij e deklaruar ka vlerë prej 729.231 eurosh. Në emër të tij figuron vetëm kërkesa në bazë të huasë së dhënë prej afërt 70 mijë eurosh. Depozita e afatizuar devizore prej 7 mijë eurosh është në emër të bashkëshortes së tij, ndërsa ka deklaruar se në llogaritë e fëmijëve të tij ka 27 mijë euro. Shtëpia, hapësira afariste, banesa në Strumicë, toka bujqësore në fshatin Murtinë dhe aksionet në vlerë prej rreth 200 mijë eurosh u takojnë prindërve të tij.

Sot, Zaev posedon pronë në vlerë prej 728.193 eurosh. Ai ka shtuar të njëjtën pronë me banesë me hapësira ndihmëse në Strumicë që është në emër të bashkëshortes së tij, një hua prej 7 mijë eurosh, po ashtu në emër të bashkëshortes së tij dhe automjetin motorik “Mini Kupe S” që është në emër të fëmijëve të tij. Në listën aktuale pronësore të Zaevit është edhe depozita e afatizuar që është në emër të bashkëshortes së tij, e cila është zvogëluar nga 7 mijë në 200 euro.

Në hulumtimin FUNKSIONARË QEVERITARË POSEDOJNË AKSIONE NË KOMPANI TË MËDHA, SCOOP-i zbuloi se kryeministri ka deklaruar aksione të prindërve të tij në vlerë prej 12.000.000 denarësh. SCOOP-i dërgoi pyetje edhe deri te kabineti i tij për të sqaruar se për ku kanë të bëjnë aksionet, por deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje.

Sa i përket hulumtimit të funksionarëve shtetërorë që u gjetën në karrigen gjyqësore, FUNKSIONARË SHTETËRORË: EDHE NË KARRIGEN E DEPUTETIT EDHE NË KARRIGEN GJYQËSORE,  kryeministri ishte në kontrollin e KSHPK-së për rastet “Global”, “Një euro korrupsion”, Firmat bullgare të Zaevit” dhe për shitblerjen e tokës së kazermës në Strumicë.

Sipas hulumtimit më të ri të SCOOP-it FUNKSIONARËT NUK KANË KURSYER PËR BILETA AJËRORE, AKOMODIM NË HOTELE DHE REPREZENTIM, nga njëmbëdhjetë funksionarët e Qeverisë që kanë bërë shpenzime në llogari të buxhetit shtetëror, më së shumti ka shpenzuar Zoran Zaev – 1.008.017 denarë, nga të cilët më së shumti për shërbime hotelierike në mensat, restorantet dhe bufetë në kuadër të institucioneve. Për dhurata të dhëna gjatë vizitave  zyrtare ose për rrethana të tjera ai ka shpenzuar 2.356 euro.

Sonja Mirakovska është shoqëruese e kryeministrit Zoran Zaev në njësinë e katërt zgjedhore. Ajo është anëtare e Partisë së Re Demokratike dhe deputet në Kuvend.

Nga fillimi i projektit “Personat e ekspozuar politikisht” e deri më sot, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, Mirakovska posedon të njëjtën pronë që është regjistruar në emër të saj që përbëhet nga një banesë në Shkup me vlerë prej 37.100 eurosh dhe automobili “Shevrolet Aveo” me vlerë prej 12 mijë eurosh. Ajo gjithashtu ka edhe një librezë devizore kursimi me 5.000 euro. Vlera e përgjithshme e pronës së saj është 54.100 euro.

KSHPK-JA NUK KA TË DHËNA PËR NIKOLLOVSKIN

Aleksandar Nikollovski është anëtar shumëvjeçar i VMRO-DPMNE-së dhe deputet në disa mandate. Nikollovski është kryetar i Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së në periudhën e viteve 2004 – 2008. Në periudhën prej vitit 2004 deri në vitin 2013 është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së. Ai është zgjedhur përsëri në këtë funksion në vitin 2017. Nikollovski bëhet anëtar i Kuvendit Parlamentar të Këshillit të Evropës në vitin 2009, ndërsa në vitin 2014 është zgjedhur për nënkryetar të parë të Komitetit të Monitorimit pranë Këshillit të Evropës. Ai është emëruar për sekretar ndërkombëtar të VMRO-DPMNE-së në vitin 2015.

Në KSHPK thonë se nuk ka të dhëna për atë për arsye se ai nuk kryen asnjë funksion shtetëror ose publik që nga viti 2016.

BDI-ja nuk ka bartës në njësinë zgjedhore 4, ndërsa nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, bartësi i listës është Fatmir Mexhiti.